Trafikonin emigrantë kundrejt pagesës, policia e Korçës prangos 18- vjeçarin nga Tirana, një tjetër e shpall në kërkim

Policia e Korçës bëri të ditur të shtunën se ka finalizuar një operacioni policor të koduar “Midnight 18”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Për këtë vepër penale në prang ka rënë një 18- vjeçar, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës, 4 emigrantë të paligjshëm.
Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe 1 shtetas tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale, si dhe ka sekuestruar një automjet dhe një aparat celular.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 18”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi O. D., 18 vjeç. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi A. P., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar.
Shtetasi O. D., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. “Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volksëagen”, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm. Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 18-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin A. P., do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. P. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”- përfundon njoftimi i policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




