Shkodër/ Balla takon efektivët e policisë: Rezultate të dukshme ndaj goditjes së kultivimit të lëndëve narkotike

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është takuar këtë të mërkurë (23 gusht) me efektivët e Policisë së Shkodrës nga ku ka garantuar edhe njëherë mbrojtjen dhe trajtimin financiar ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Balla ka shprehur mirënjohje edhe për profesionalizmin e Njësisë Policore Alpine, e cila sikurse tha ai, iu është gjendur pranë turistëve.
“Me efektivët e Policisë së Shtetit të angazhuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik. Mirënjohje për profesionalizmin e Njësisë Policore Alpine, e cila ju është gjetur pranë shumë turistëve. Në këtë Qark vijon me rezultate të dukshme goditja e fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike.
Jam këtu për të falënderuar njësitë policore të përfshira në operacionin mbarëkombëtar të mbarëvajtjes së sezonit turistik”, tha Balla.
Ministri vuri theksin te respekti i qytetarëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Ai deklaroi se Policia e Shtetit do kalojë në një tjetër nivel.
“Duke qenë se gjëja e parë e rëndësishme lidhet me mbrojtjen e punonjësve të policisë dhe trajtimin financiar siç duhet, do bëj gjithçka që policia e Shtetit të trajtohet dhe respektohet me dinjitet. Policia është fytyra e shtetit. Një shtet që nuk respekton policinë e vetë, nuk e bën dot detyrën. Me mbështetjen e kryeministrit Rama, ta kalojmë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.
Koha kur goditet, kanoset apo i rrezikohet jeta e Policisë së Shtetit, ka mbaruar. Nëse nuk i binden një urdhri të Policisë së shtetit dënohesh 3 muaj burg, për dhunë deri në 5 vite burg.
Që ne të kemi sukses dhe që qytetarët të rikthejnë besimin te policia e shtetit, kësaj do i shkojmë deri në fund. Nuk do tolerohet asnjë rast”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




