Zjarr masiv në pyjet e Kurbinit, prangoset zjarrvënësi, ushtria, policia dhe emergjencat civile përpjekje masive për ta shuar

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në pyjet me pisha të bashkisë së Kurbinit, duke krijuar një situatë shumë të vështirë. Zjarri mësohet se është më i madhi në vendin tonë përgjatë kësaj vere mjaft të nxehtë.
Sipas të dhënave të para, mësohet se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme. Këtë fakt e ka bërë të ditur edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nëpërmjet një postimi rrjetin social X (Twitter).
Balla informon se policia ka ndaluar në flagrancë një prej autorëve të kësaj zjarrvënie, i cili është 41-vjeçari V. H.
“Në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikës të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç).”- shkruan Balla.
Ndërkaq, ministria e Mbrojtjes informon se 50 efektivë të Forcave të Armatosura së bashku dhe me një helikopter Cugar, si dhe 2 mjete zjarrëfikëse, janë mobilizuar për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit masiv në bashkinë e Kurbinit.
“Situata është sfiduese për shkak të terrenit të vështirë, ku zjarri është përhapur shpejtësisht”- informon ministria e Mbrojtjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




