30 vjet nga rënia e dëshmorit Arben Ujka/ Balla: Tolerancë zero kush ngre dorë kundër Policit

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka paralajmëruar personat që i dalin kundër policisë apo vënë në rrezik pjesëtarët e saj se do të përballen me një politikë të re penale të propozuar nga ai vite më parë.

Ministri e bëri mesazhin teksa përkujtoi rënien në detyrë të efektivit të RENEA-s, Arben Ujka, i vrarë 30 vite më parë.

Ujka kujtohet si dëshmori i parë i forcave speciale RENEA, që humbi jetën gjatë aksionit për kapjen e një krimineli në fshatin Musha të Shkodrës, më 22 gusht 1993.

“Kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo, larg qoftë, t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO,” u shpreh ministri Balla.

Me ndryshimet e vitit 2019 në Kodin Penal (konkretisht, me Ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019), është ashpërsuar masa e dënimit për veprat penale të parashikuara nga neni 237 “Goditje për shkak të detyrës” dhe neni 238 “Kanosja për shkak të detyrës” i Kodit Penal, në mënyrë të veçantë për veprat penale në fjalë të kryera ndaj punonjësve të Policisë dhe mjekëve.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve, nuk ka më gjobë por vetëm dënim me burgim nga një deri në pesë vjet, për dy veprat e mësipërme të kryera ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit.

“Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshme të punonjësit të policisë përbën kundërvajtje penale, e cila mund të dënohet me burgim gjer në tre muaj. Nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit dënimi shkon në një vit burg. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohet me burgim gjer në shtatë vjet. Nëse dikush guxon të godasë me duar punonjësin e policisë për shkak të detyrës, ai person rrezikon deri në pesë vjet burg,” tha ministri Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme