Aksion anti-kanabis në Krujë, Shkodër, Lezhë e Tropojë, asgjësohen mbi 24 mijë bimë narkotike

Një operacion i gjerë kundër kultivimit të kanabisit është zhvilluar nga Policia në72 orët e fundit në malësinë e Krujës, qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
Si rezultat i këtij operacioni, ku u përfshinë 7000 punonjës policie dhe 90 dronë, janë asgjësuar në total 24 220 bimë kanabis.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst në Pukë, u gjetën 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve. U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre.
Në qarkun Shkodër u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
Në malësinë e Krujës u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme, ndërsa në Lezhë u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.
Në zona malore të rrethit të Tropojës u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.
Policia e Shtetit thekson se do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, ndërsa operacioni i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me GDF-në.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




