Zyrtarisht i zhdukur dhe në kërkim policor, një vit nga humbja pa gjurmë e Ervis Martinajt

Një vit më parë, një nga personazhet më të njohur të botës së krimit, Ervis Martinaj do të zhdukej duke humbur kontaktet me familjarët e tij. Ndonëse për gjetjen e tij janë zhvilluar disa aksione policore, ende sot nuk ka një qëndrim zyrtar për fatin e Martinajt.
“Hetimet për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj janë në rrugë të mbarë”, deklaroi kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në dhjetor të vitit të kaluar.
Më 23 gusht, po të vitit të kaluar, Policia arrestoi oficerin e Forcave Operacionale Jeton Lami, si njeriun e fundit të kapur nga kamerat e sigurisë në shoqërinë e Ervis Martinajt. Më 7 Gusht 2023, policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në një hotel në Durrës.
Më 25 gusht një prej anëtarëve kryesorë të bandës së Durrësit, Indrit Dokle mohoi të kishte gisht. Ky zhvillim u lidh me dëshminë e të penduarit Nuredin Dumani, që akuzoi Ervis Martinajn si personin që do ta paguante në total me 500 mijë euro për ekzekutimin e Dokles.
Martinaj u shpall nga SPAK në kërkim ndërkombëtar. Emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme kundër Emiljano Shullazit, ndërsa ka qenë i përfshirë në përplasjen me armë në ngjarjen në ish-bllok në 2018, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
1 vit nga zhdukja e tij, emri i Ervis Martrinajt u rikthye sërish në skenë pas zhvillimit të operacionit Metamorfoza, ndërsa SPAK lëshoi një tjetër urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Martinaj dyshohet se ka porositur vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020, ndërsa mbi të rëndon gjithashtu akuza për sigurim të kushteve për të kryer vrasjen ndaj Kleant Musabelliut.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




