Kultivuan kanabis në fshatrat e Krujës/ SPAK dërgon për gjykim 13 persona: Kishin mbështetjen e policisë

Aktualitet | 3 vite më parë

SPAK ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, 13 persona të akuzuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e municionit të armëve të gjuetisë”, si dhe ”Shpërdorim i detyrës”.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion njoftoi se për gjykim janë të pandehurit Bujar Sefa (Xaka), Skënder Velja, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Vaid Taka, Edison Xaka, Xhemal Zogu, Asim Pulaci, Saba Shehi, Armand Dervishi, Agron Asllanaj, Shkëlqim Ismaili, Ahmet Pulaci dhe Haxhi Murati. 

Sipas njoftimit të SPAK, grupet që kanë vepruar në këtë zonë njiheshin mes tyre edhe kishin mbështetjen e policisë në këtë veprimtari kriminale. 

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se kultivimi i disa parcelave me bimë narkotike kryhej nga 2 (dy) grupe kriminale të organizuar në disa zona të Bashkisë Krujë, Njësia Administrative Cudhi, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall zona këto kufitare me njëra-tjetrën.

Grupet kriminale që kanë vepruar në këtë zonë jo vetëm që njihen mes tyre por kanë dijeni dhe për aktivitetin e njëri-tjetrit, kanë pasur mbështetjen e strukturave të policisë vendore si dhe ato të administratës lokale, kryesisht punonjësve të policisë dhe kryepleqve të përfshirë dhe ato në aktivitetin e kultivimit. Kultivimi kryhej kryesisht në sipërfaqe tokash me pyll në pronësi shtet, të cilat shfrytëzohen për kullotë nga banorët e zonës.

Nga aktet e administruara dhe analizuara për interesa të këtij procedimi penal, ka rezultuar se drejtuesit e këtyre grupeve kriminale me qëllim kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike kanë punësuar disa punëtorë, kanë ngritur sisteme vaditje, moment pas së cilit lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg.

Me aktin e datës 27.07.2023, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr.203 të vitit 2020, dhe numërtimin e tyre me nr.203/1 të vitit 2023, me qëllim identifikimin e personave të tjerë, bashkëpunëtorëve të të pandehurve të cilët ka rezultuar se janë përfshirë në këtë aktivitet criminal”, theksohet në njoftimin e SPAK.

Arrestimi i të pandehurve u krye në muajin maj në vazhdën e një operacioni anti-kanabis të nisur 3 vite më parë në zonat e Tiranës, Durrësit dhe Fushë-Krujës. Sipas SPAK, atëherë u zbuluan rrënjë kanabisi dhe u sekuestruan 145.5 kg lëndë narkotike, e cila kultivohej dhe shitej në tri qytetet e mësipërme, me përfshirjen e punonjësve të policisë dhe kryepleqve të fshatrave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme