Lezhë, konflikti fizik në një pikë karburanti, policia arreston tre persona, akuzohen për tentativë vrasje dhe plagosje të rëndë

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia e Lezhës ka zbardhur dhe dokumentuar konfliktin e ndodhur një ditë më parë (të shtunën) në ambientin e një karburanti. Pas zbardhjes së ngjarjes, ajo ka vënë në pranga 3 personat e përfshirë në këtë episod, një shtetas kosovar, dhe 2 qytetarë nga Lezha, duke bërë ndalimin e tyre në kushtet e flagrancës.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: M. M. 37 vjeç, banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”; N. S. 61 vjeç dhe K. R. 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale ” Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja

Sipas uniformave blu në Lezhë, arrestimi i tyre u bë pasi në vijim të veprimeve të thelluara hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar se

rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar M. M. pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë N. S. dhe K. R. (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që ti përplasë duke u rrezikuar jetën.

“Si pasojë e tentativa me automjet, shtetasi M. M. është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar. Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin M. M. me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi N. S. i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”- informon policia.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme