Grabisnin shtëpi në zonat bregdetare, prangosen 2 persona me precedentë kriminal, Balla: Duhet rritur goditja nga policia

Vera e nxehtë duket se po shfrytëzohet nga grupe kriminale në fushën e grabitjeve të banesave. Policia e Himarës dhe ajo e Durrësit ka arritur të verë në pranga 2 persona dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim, pasi mbi ta rëndon akuza për vjedhje dhe grabitje në shtëpitë përgjatë vijës bregdetare në qarkun e Vlorës dhe atij të Durrësit.
Të tre personat e arrestuar, sipas policisë, janë me precedent të theksuar kriminal, si dhe të skeduar për vjedhje brenda dhe jashtë vendit. Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.
Ky operacion i policisë është përshëndetur edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili, nëpërmjet një postimi në Facebook, thekson se Policia e Shtetit duhet të rrisë më shumë goditjet kundër krimit.
“Ndërsa jemi në pikun e sezonit turistik, Policia e Shtetit duhet të rrisë goditjen ndaj keqbërësve që shrytëzojnë këtë moment. Një tjetër grup kriminal u vu në pranga me akuzën e vjedhjeve, duke e çuar mbi 200 numrin e të arrestuarve për këtë vepër penale, vetëm në gjashtë muajt e fundit.”- shkruan Balla.
Policia e Himarës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, goditën një grup kriminal me veprimtari në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, duke zbardhur vjedhjet në 3 vila, në Dhërmi dhe në Golem, Kavajë.
Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.
Dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare. Atyre u janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash (euro, dollarë, paund, franga zvicerane dhe lekë), një automjet që autorët e përdornin për të lëvizur dhe veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve.
“Pas sigurimit të provave dhe lokalizimit të pjesëtarëve të grupit kriminal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Piketat”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u ndaluan shtetasit: S. K., 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë; G., 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.”- njoftoi policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




