Fluks në Morinë/ Pushuesit kthehen në Kosovë, çmimet e larta në plazhe, kryefjalë e qytetarëve

Aktualitet | 3 vite më parë

Pavarësisht procedurës pa kontrolle në kufi, kolona e mjeteve krijoi radhë në hyrje të Kosovës. Janë me mijëra qytetarë që kaluan pushimet në bregdetin shqiptar por jo vetëm.

Çmimet e larta ishin kryefjalë e të intervistuarve pas kthimit nga pushimet. “Rritja e çmimeve ka prekur të gjitha shërbimet” thanë qytetarët e Kosovës, por në veçanti shezlongët e çadrat, madje njeri prej pushuesve e krahason çmimin e një çadre të barabartë me një dhomë hoteli.

Një i ri pushimet i ka kaluar në Ulqin, e kur bëhet fjalë për çmimet nuk i ka marrë në konsideratë krahasuar me shërbimin që ofron Ulqini me plazhet në Shqipëri. Pas orës 20:30 fluksi i mjeteve drejt Kosovës u rrit ndjeshëm jo vetëm në doganë, por edhe përgjatë rrugës së kombit.

Në urën e Drinit, kolona e mjeteve nuk shënoi asnjë sekondë shkëputje, e të gjitha me destinacion Kosovën.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e qytetarëve dhe automjeteve nuk u regjistruan apo kontrolluan në Vermicë, mendohet se numri i tyre gjate mbrëmjes të ketë kaluar 27 mijë qytetarë dhe rreth 9300 automjete.

Gazetar: B.Muçmata 

/RTSH/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme