Konflikti për guroren e Rrajave, lirohen nga detyra drejtuesit e komisariatit të Krujës, emëron shefat e rinj

Aktualitet | 3 vite më parë

Janë liruar nga detyra drejtuesit e komisariatit të Krujës, vendim që vjen pas ngjarjes së regjistruar më 6 korrik, ku anëtarë të familjes së ish-deputetit Rrahman Rraja, mes të cilëve edhe djali i tij, dhunuan dy kushërinj, pas një konflikti për guroren.

Nëpërmjet një njoftimi, bëhet me dije se është liruar shefi i Komisariatit, Elton Shahini, në vend të të cilit është emëruar Kreshnik Alimadhi. Po ashtu është liruar zëvendësshefi i Komisariatit, Ajet Bega, në vend të të cilit është emëruar Sadik Topuzi. Nënkomisari Anri Nazaj është liruar nga detyra, ndërsa në vend të tij është emëruar Dashamir Ilamaj.

Po ashtu janë transferuar 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale.

Sipas njoftimit, ndryshimet në Komisariatin e Krujës nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së 6 korrikut, por dhe si rrjedhojë e një analize të punës të bërë për 6-mujorin e  parë të vitit 2023.

“Bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët. Me qëllim  forcimin e rendit dhe sigurisë në këtë territor, bazuar dhe në hartën e re gjyqësore dhe organizimit të sistemit të Prokurorisë së Përgjithshme është bërë dhe riorganizmi i strukturave për ti paraprirë një qasjeje të re të kontrollit të territorit, të evidentimit dhe goditjes së aktiviteteve kriminale si dhe për  parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në këtë territor.

Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë duke qenë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë, janë komanduar në Komisariatin e Policisë Krujë një trupë policore e repartit special Shqiponja dhe Shigjeta, me qëllim kontrollin më të mirë të territorit dhe për një reagim më të shpejtë në rast problematikash”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se konflikti nisi për shkak të punimeve që kryente në guroren e Borizanës fisi Rraja, ndaj të cilëve fisi Maja ishte ankuar aktiviteti që kryhej në gurore u kishte dëmtuar banesat. Pas ankesave dhe denoncimeve të fisit Maja, fisi Rraja reagoi duke ushtruar dhunë ndaj tyre duke i qëlluar ata me shkopinj bejsbolli.

Rraja dorëzoi mandatin e deputetit pas ngjarjes, ndërsa po ashtu u shkarkua nga detyra Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe në vend të tij u emërua Taulant Balla. Në njoftimin për ndryshimet në kabinet, kryeministri Edi Rama nuk e lidhi vendimin e marrë me ngjarjen në Krujë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme