Veliaj pret Ekipin Kombëtar të MMA-së: Krenar për kupat që i sollët Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim sportistët e Ekipit Kombëtar të MMA-së, të cilët dolën të dytët në Kampionatin Ballkanik të Arteve Marciale Mikse, i mbajtur në muajin qershor.
Duke qenë se këtë vit Tirana është Qyteti Evropian i Sportit, Veliaj u shprehu mirënjohjen të gjithë lojtarëve që i sollën Shqipërisë medalje të tjera, edhe në një sport jo shumë të njohur dhe praktikuar në vendin tonë.
“Është një kënaqësi që jam këtu me superskuadrën tonë, e cila zuri vendin e dytë. Ka qenë vërtet një performancë e jashtëzakonshme. Jam shumë krenar për ju! E di, disa keni marrë vende të para, shumë të tjerë të dyta, shumë të tjerë të treta, por të qenit në vend të dytë në sporte si artet marciale, ku nuk kemi një traditë ndaj këtyre disiplinave, është vërtet mbresëlënëse. Kemi filluar të fundit në këto aktivitete dhe tani kemi dalë në vend të dytë dhe jam i bindur se është vetëm çështje kohe derisa të shkojmë në vend të parë.
Ju falenderoj shumë për profesionalizmin, për pasionin dhe për faktin se, që nga moshat e vogla deri te moshat e rritura, ne kemi ndërtuar një rrjet të arteve marciale që lulëzon në Tiranë. Zemra më bëhet mal që këto medalje vijnë kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit. Ne patëm Partizanin, që solli kupën në futboll, patëm Tiranën që solli kupën në basketboll, patëm Studentin, që solli kupën në disiplina të tjera, dhe më vjen mirë që edhe qytete të tjera si Shkodra, po prodhojnë një pafundësi talentesh. Jam vërtet krenar për çfarë kemi arritur,” tha Veliaj.
Veliaj tha se deri më tani në Tiranë janë organizuar 600 aktivitete sportive, ndërsa synimi është të arrihet në mbi 1000 të tilla deri në fund të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




