“Gërdeci”/ Shtyhet sërish seanca për Mediun! Avokati Matlija: Tërhoqa kërkesën për përfaqësimin e 109 personave, mbroj 6 prej tyre

Shtyhet sërish procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shtyrë për të pestën herë seancën për pretencën ndaj Mediut, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në shpërthimin e Gërdecit, duke vendosur mbajtjen e seancës së radhës më 18 korrik.
Shkak për shtyrjen e seancën, ishin pasaktësitë në prokurat e paraqitura për 109 persona dhe vendimi i gjykatës për moslegjitimimin e Dorian Matlijas si përfaqësues i tyre në këtë proces.
Avokati i familjarëve të viktimave të “Gërdecit”, Dorjan Matlija në një prononcim për media, ka deklaruar se ka tërhequr kërkesën për përfaqësimin e 109 personave, duke bërë me dije se mbron vetëm 6 prej tyre, që janë konkretisht 3 pjesëtarë të familjes Duda dhe 3 pjesëtarë të familjes Azizaj.
Matlija theksoi se ky proces është karakterizuar nga vonesat dhe për këtë arsye, ai tha se do të bëjë prokura të tjera për t’i përfaqësuar në seancën e 18 korrikut.
“Tërhoqa kërkesën për të përfaqësuar 109 persona, pasi mbroj 6 prej tyre. Të mos krijohen vonesa Gjykata vlerësoi se ata njerëz kanë pasur vullnet për të marrë pjesë në proces. Të gjithë këta persona duhet të shkojnë në prokura të tjera dhe ka kosto ekstra. Më duket e panevojshme. Ata që do duan të përditësojnë, unë do i njoftoj personalisht dhe kush ka mundësi të përballojë kostot do bëjnë prokurat dhe do përfaqësohen në seancën tjetër.
Kërkesën e paraqita unë si avokat.
Ose gjykata më pranon si përfaqësues ose nuk më pranon., ky është nonsens. Nuk doja të bëhesha shkak për vonesë gjykimi dhe tërhoqa kërkesën.
Për mua është diskutim i panevojshëm që çon në shtyrjen e seancës. Në seancën tjetër do vijë me prokura të tjera.
Ky proces është karakterizuar nga vonesa, ka nisur në 2009, u shty disa herë, u mbyll me një amnisti. Ne sot po shohim që po fillon të ecë dhe nuk duam të bëhemi pengesë.
6 emrat janë nga familja Duda, nga familja Azizaj, dy familjet ku unë përfaqësoj 3 prej tyre nga secila familje. Gjykata do prokura të tjera dhe ne do i bëjmë, do shohim në seancën tjetër”, tha ai para mediave.
Kujtojmë se më 7 qershor GJKKO pranoi kërkesën që familjarët e viktimave pranohen si pjesë e procesit.
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, mbetën të vrarë 26 persona si dhe u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




