Efektivët e policisë të kampit ASHRAF 3, të pranishëm minimumi deri në fund të gushtit

Një ditë pas rikthimit të forcave të Policisë ë hyrje të rezidencës së muxhahedinëve Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, bëhet e ditur se uniformat blu do të qëndrojnë aty minimumi deri në fund të muajit Gusht, por ende nuk ka një vendim zyrtar për këtë çështje.
Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë asnjë detaj rreth operacionit të nisur, por burimet konfidenciale të saj thanë për Radio Televizionin Shqiptar, se kontrollet e çdo anëtari të kampit apo automjetet, me të cilat ata do të hyjnë apo dalin prej tij, do të vijojnë.
Nga ana tjetër, të njëjtat burime thanë, se vëmendja më e madhe do të jetë gjatë këtyre ditëve, kur anëtarët e këtij grupimi do të jenë të angazhuar për një marshim që pritet të realizohet në Paris kundër regjimit iranian.
Ndërkohë, kujtojmë se një javë më parë në këtë kamp për shkak të kontrolleve të ushtruara nga Policia me urdhër të SPAK pati tensione, ku përfaqësues të MEK akuzonin efektivët e policisë për dhunë.
Pjesëtarët e opozitës iraniane akuzuan policinë se i mori jetën një anëtari të tyre përmes gazit lotsjellës, ndërkohë që shkaqet e vdekjes së personit në fjalë ende nuk janë përcaktuar nga ekspertiza.
Radio Televizioni Shqiptar u interesua edhe te Instituti i Mjekësisë Ligjore, por deri tani nuk ka asnjë konkluzion zyrtar për shkaqet që çuan në humbjen e jetës së anëtarit të komunitetit MEK.
Sipas SPAK, dyshohet se organizata “MEK”, e vendosur në Manzë, ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore, si edhe ndaj institucioneve në shtetin iranian.
Veprat penale që dyshohet të jenë kryer nga kampi i muxhahedinëve janë “provokimi i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe “keqpërdorim i pajisjeve”.
Gazetare Flutura Tota
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




