Aplikimi për Universitet, Kushi: Maturantët do kenë 2 raunde regjistrimi, viti akademik fillon më 2 tetor

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka miratuar këtë të premte (30 qershor) udhëzimin për Procedurat e Aplikimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të lartë, ku bën me dije edhe risitë për vitin e ardhshëm akademik 2023-2024.
Kushi sqaron se raundi i regjistrimit do të ulet nga 3 në 2, çka do të shkurtojë kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete.
Po ashtu, Kushi theksoi se viti i ardhshëm akademik do të fillojë më 2 tetor 2023 dhe shkurtimi i një raundi është në funksion të fillimit të procesit të mësimdhënies.
“Sot miratova Udhëzimin për Procedurat e Aplikimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të lartë, ku kemi sjellë disa risi për vitin e ardhshëm akademik 2023-2024:
Ulja e numrit të raundeve të regjistrimit nga 3 në 2 shkurton kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete. Viti i ardhshëm akademik do të fillojë më 2 tetor 2023 dhe shkurtimi i një raundi është në funksion të fillimit të procesit të mësimdhënies.
Pas raundit të dytë, në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në U-albania mund të vijojnë të regjistrohen drejtpërdrejtë në IAL deri në plotësimin e gjitha kuotave.
Procedura të barabarta aplikimi dhe regjistrimi për të gjithë kandidatët me diplomë të huaj të shkollës së mesme, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo të huaj.
Kandidatët e regjistruar me diplome të huaj kanë detyrim njohjen dhe njehsimin e diplomës brenda datës 30 prill të vitit akademik vijues, për t’u pajisur me numër matrikullimi përpara fillimit të sezonit të dytë të provimeve.
Ulja e numrit të dokumenteve të nevojshme lehtëson procedurat për regjistrimin e kandidatëve në IAL”, shkruan Kushi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




