Vrasja para zgjedhjeve të 2021, Prokuroria kërkon 25 vite burg për ish-efektivin e RENEA-s Arbër Paplekajn

Aktualitet | 3 vite më parë

 

Prokuroria e Elbasanit kërkon dënim me 25 vite burg për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s që akuzohet për vrasjen e aktivistit të Partisë Socialiste Pjerin Xhuvanin, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Në seancën e radhës gjyqësore, Prokuroria ka paraqitur konkluzionet përfundimtare duke i qëndruar akuzës për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese.

Sipas Prokurorisë, vrasja erdhi pas një konflikti për motive politike i cili degradoi në përdorimin e armëve.

Struktura për mbrojtjen e votave e ngritur nga Partia Demokratike bllokoi disa aktivistë të Partisë Socialiste me pretendimin se ata po blinin vota në këmbim të parave.

Në vendngjarje mbërritën edhe  forcat e policisë dhe dy zv/drejtorët që nuk mundën ta parandalonin krimin, ndaj janë nën akuzë për shpërdorim detyre. Për këta të fundit prokuroria kërkoi dënimin me nga 16 muaj shërbim prove ndërsa për 6 punonjës të tjerë të policisë nga 8 muaj shërbim prove.

Paplekaj e pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga personat në konflikt.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 korrik ku Paplekaj do të bëjë mbrojtjen dhe më pas pritet të merret vendimi nga gjykata e Elbasanit.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme