Begaj takim me homologun e Bullgarisë dhe Ministrin e Jashtëm turk: Të rrisim bashkëpunimin mes vendeve

Presidenti Bajram Begaj është takuar sot (28 qershor) me homologun e Bullgarisë, Rumen Radev dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.
Në këtë takim, kreu i shtetit vuri theksin te Korridori i 8-të, ku vlerësoi rolin e Bullgarisë si vend anëtar i BE-së në mbështetje të projektit.
Sakaq, Begaj vlerësoi marrëdhëniet Shqipëri- Bullgari, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale.
Po ashtu, në takimin me homologun e tij, dyshja shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Ndërsa në takimin me ministrin Hakan, Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.
Në një kohë kur në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon. Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




