Raporti i Avokatit të Popullit/ Ballanca: U regjistruan 6264 ankesa, 1826 hetime administrative dhe 249 raporte me rekomandime

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka paraqitur në Kuvend raportin e institucionit që ajo drejton për vitin 2022. Në fjalën e saj nga foltorja, Ballanca vuri theksin te dy kolonat e Avokatit të Popullit, sikurse janë trajtimi i ankesave dhe promovimi i të drejtave.
Gjatë vitit 2022, Ballanca bëri me dije se janë regjistruar 6264 ankesa, 1826 hetime administrative dhe 249 raporte me rekomandime. Ballanca u shpreh se ka patur një përmirësim sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet.
“Dy kolonat: trajtimi i ankesave; promovimi dhe të drejtat që promovojmë, standartet ku duam të shkojmë. Viti i kaluar numri më i madh i trokitjes së qytetarëve në derën tonë. Jo gjithmonë ka ankesa, por edhe këshillime. 6264 ankesa gjatë 2022. Është një shqetësim që ata kanë pasur dhe trajtim apo rruga që kjo problematikë mund të zgjidhet 1826 hetime administrative, 40% e tyre kërkesa të paraqitura në 2022 dhe të tjerat ankesa të paraqitura në vitet e mëparshme.
Kemi arritur atë që është e rëndësishme për çdo institucion. 823 raste janë zgjidhur pa pasur nevojë për një rekomandim, sukses i avokatit të popullit.
Kemi adresuar 249 raporte me rekomandime, të cilat kanë përfshirë 1312 zëra nënrekomandimesh. Jemi adresuar dhe kemi adresuar rekomandime 653 institucioneve.
Kemi kuptuar se ka një përmirësim të zbatimit të rekomandimeve të avokatit të popullit. Te nënrekomandimet ka një rritje sepse në 2022 kemi 48% të nënrekomandimeve të pazbatuara dhe 47% të zbatuara.
Institucionet e të drejtave të njeriut janë shëmbylltyrë të nivelit të shtetit të së drejtës në vend”, u shpreh Ballanca.
Kjo e fundit i drejtoi një kërkesë Kuvendit që të përmirësojë katalogun e të drejtave të njeriut për ta bërë në linjë me kartën e të drejtave të njeriut në BE.
“I kam kërkuar Kuvendit prej dy vitesh që ka ardhur koha të përmirësojmë katalogun e të drejtave të njeriut në vend për ta bërë në linjë me kartën e të drejtave të njeriut në BE. Kjo kartë ka të drejtat e njeriut më moderne aktualisht në fushën e të drejtave të njeriut, dua të tregojmë një model më të mirë ”, tha Ballanca.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




