Historiku i muxhahedinëve dhe rrethanat që i sollën ata në vendin tonë

Opozita iraniane në emigrim, e njohur si muxhahedinët, është e strehuar në disa vende të botës, mes tyre edhe në Shqipëri.
Ky grupim, që konsiderohet nga regjimi aktual i Iranit si grupim terrosit, u krijua në vitin 1965 dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin ‘70 kanë qenë në opozitë me ish- liderin e Iranit Mohammad Reza Shah.
Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini.
Në këto kushte ata u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre dhe u larguan nga Irani. Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë e konsiderueshme u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.
Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.
Pasi ushtria amerikane mori në kontroll gjithë territorin, grupimi nisi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak.
Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë, të cilët u trajtuan me statusin e azilantit politik.
Me pas edhe Kryeministri Edi Rama ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë.
Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Në atë kohë strehimi i tyre u konsiderua një vendim humanitar dhe jo politik. Autoritetet me të larta amerikane, deri tek Presidenti shprehen falenderimet për këtë akt të qeverisë shqiptare.
Aktualisht numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës është rreth 3500. Kampi funksionon si një qytezë, brenda të cilës ofrohen të gjitha shërbimet.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




