Kishte hapur lokal dhe shiste doza kokaine pranë një shkolle, policia e Korçës prangos 26- vjeçarin

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia e Korçës ka vënë në pranga në flagrancë një person i moshës 26- vjeç, i cili dyshohet se shiste në doza droga të forta të llojit kokainë. Personi i arrestuar i shiste dozat në lokalin që kishte në përdorim, në afërsi të një shkolle. Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas shiste lëndë narkotike kokainë në doza, në afërsi të shkollave, kanë organizuar menjëherë punën, dhe si rezultat kanë kapur në flagrancë dhe kanë arrestuar shtetasin: -I. D., 26 vjeç, banues në Korçë.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas saj, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në posedim të këtij shtetasi, në lagjen nr. 18, Korçë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike që dyshohet se shërbente për ndarjen e kokainës në doza, dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e dozave.

Policia bën të ditur se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme