Veliaj me Sekretarin e Shtetit gjerman: Në vjeshtë nis zbatimi i sistemit të transportit publik të shpejtë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim këtë të shtunë (10 qershor) Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Niels Annen.
Veliaj falënderoi Niels Annen për mbështetjen ndaj Bashkisë së Tiranës për një prej projekteve të rëndësishme, si ai i transportit publik ndërsa bën me dije se ky projekt do të nisë në vjeshtën e këtij viti.
“E informova Sekretarin e shtetit gjerman për gjithë bashkëpunimin tone me KFW-në dhe GIZ-in gjerman, sidomos në fushën e transportit publik. Ne sapo kaluam një fushatë ku patëm debate për transportin publik. Nuk jemi këtu për të fituar vetëm vota dhe pastaj për të përballur një situatë të premtimeve, që nuk mund të mbahen. Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën, çfarë mund të bëhet dhe çfarë nuk mund të bëhet. Për atë që mund të bëhet të fillojmë ta bëjmë. Ajo që mund të bëjmë dhe kemi rënë dakord me GIZ-in dhe KFW, është që të fillojmë një sistem të transportit publik të shpejtë. Për këtë dua të falenderoj qeverinë gjermane, ambasadën gjermane, skuadrën tonë të GIZ-it dhe KFW-së, sepse kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm për ta sjellë deri në këtë pikë dhe tani duhet të fillojmë ta zbatojme,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se ky projekt do të nisë këtë vjeshtë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që nënvizoi kryebashkiaku është edhe ai i rindërtimit të konvikteve.
“Dua t’ju falënderoj shumë edhe për konviktet. Një iniciativë që filloi me zonjën Merkel, kur ajo vizitoi Tiranën. Sot është një kënaqësi t’ju them që gjysma e tyre janë të përfunduar, kemi edhe gjysmën tjetër. Jam vërtet shumë mirënjohës, sepse ka qenë një barrë për Bashkinë e Tiranës në sensin që konviktet kryesisht përdoren në pjesën më të madhe nga studentë që nuk vijnë nga Tirana”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




