Sezoni i ri turistik, presidenti i Federatës së Vrojtuesve: Kurba e fataliteteve ka rënë, por ende s’ka numër të mjaftueshëm vrojtuesisht

Aktualitet | 3 vite më parë

Sezoni i ri turistik ka nisur, por sa të sigurta janë plazhet në Shqipëri? I ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, presidenti i Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, Erdit Gega, u shpreh se ligji kërkon që çdo stacion plazhi të ketë vrojtues, por autoritetet duhet të jenë rigorozë në kontrollet që bëjnë.

“Baza ligjore detyron që për çdo 80-100 metra të ketë vrojtues. Për momentin nuk kemi një numër të mjaftueshëm vrojtuesish që do të duhet të mbulojnë rreth 2600 stacione plazhi në vijën bregujore të shfrytëzueshme”, tha ai.

Që prej themelimit të federatës në vitin 2017, janë certifikuar 1550 vrojtues plazhi, por sipas tij nevoja është më e madhe. Pavarësisht se ky sektor po funksionon, Gega shprehet se ka ende mangësi.

“Çdo stacion plazhi duhet të ketë vrojtues të avancuar nga vija e parë dhe në qendër të stacionit. Ai duhet të ketë fushëpamje të lirë, të ketë korridore emergjence të lira, dhomën e ndihmës së parë. Mangësira ka shumë dhe nëse nuk ofrojmë standard nuk do të kemi turizëm të qëndrueshëm”, u shpreh  Xhahu.

I pyetur në lidhje me subjektin e parë dhe të vetëm në Shqipëri që ka marrë flamurin blu, Gega tha se siguria është një nga katër elementët kryesor. “Për t’u pajisur me flamurin blu kërkohet cilësia e pastër e ujit, cilësia e pastër e plazhit, siguria për jetën dhe akses për të gjithë.”, deklaroi ai.

Duke qenë se Federata “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” është përfaqësuese e “Blue flag” për Shqipërinë, Gega tregon se në sektorin e hotelerisë ka evidentuar se mungon aksesi për të gjithë. “Me keqardhje them që aksesi për të gjithë mungon, që nga perceptimi i administratorëve apo atyre që investojnë për të bërë një hotel dhe nuk ia kuptojnë vlerën.”

Megjithatë shifrat tregojnë se rritja e numrit të vrojtuesve të plazhit ka ulur numrin e fataliteteve. “Nga viti në vit kurba e rritjes së numrit të turistëve rritej bashkë me numrin e fataliteteve. Por që nga krijimi i federatës, kurba e fataliteteve ka ardhur duke zbritur, nga 47 të mbytur në vit, e kemi ulur deri në 10 të mbytur në vit edhe pse numri i turistëve është rritur dyfish. Uroj që Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Policia e Shteti të monitorojë prezencën e vrojtuesve të plazhit, sidomos në ditët me dallgë dhe në ditët e nxehta që ndikojnë tek të moshuarit.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme