Policia bën bilancin për muajin maj: Arrestohen 112 drejtues mjetesh, pezullohen 624 leje drejtimi

Aktualitet | 3 vite më parë

Policia ka bërë bilancin për muajin maj ku në një njoftim për mediat bën me dije se gjatë këtij muaji janë arrestuar 112 drejtues mjetesh, janë pezulluar 624 leje drejtimi dhe janë kapur 68 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Policia njofton se po gjatë muajit maj, janë finalizuar në total 79 operacione policore dhe janë kapur 68 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Po ashtu janë kapur 68 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Në tri qarqe janë asgjësuar 39.613 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.

“Gjatë këtij muaji,  megaoperacionet policore të koduara “Kodra e Diellit 2” dhe “Reset”, të zhvilluara në Tiranë dhe në Vlorë, në kuadër të të cilave u vunë në pranga 6 shtetas. Në Tiranë, 5 shtetasit e arrestuar shpërndanin kokainë në sasi të mëdha, ndërsa në Vlorë, një shtetas me precedent penal, transportonte 10 pako me 104 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Në fushën e krimeve me objekt mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, janë finalizuar 6 operacione për të cilat janë sekuestruar 22 armë zjarri dhe gjahu”, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjatë muajit maj janë parandaluar një sërë ngjarjesh kriminale në Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Dibër, të cilat synoheshin të kryheshin për shkak të marrëdhënieve familjare ose për shkak të konflikteve të mëparshme ndërmjet shtetasve me precedent penal, si dhe të cilat mund të kryheshin duke përdorur armë zjarri.

Gjithashtu është reaguar në kohë, përmes ndërhyrjes së menjëhershme në vendngjarje, identifikimit dhe arrestimit të autorëve, për 8 ngjarje kriminale, kryesisht plagosje dhe vjedhje.

Si rezultat i bashkëpunimit intensiv dhe i shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë, është kapur në Rabat, Marok, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa në Janinë janë kapur i shumëkërkuari për krime kundër personit, shtetasi Laert Haxhiu dhe shoqëruesi i tij, një 22-vjeçar i shpallur në kërkim për llogari të Policisë së Pogradecit, për plagosje të rëndë me dashje.

Për paligjshmëritë në fushën e krimeve ekonomike, janë finalizuar 8 operacione dhe janë goditur 80 raste.

Megaoperacionet “Telegrami” dhe “Arkitekti”, të finalizuara nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit dhe nga Policia e Tiranës, goditën 2 raste të marrjes së shumave të konsiderueshme të parave, nga biznesmenë, me anë të mashtrimit. Nga këto operacione u sekuestruan 140 000 euro.

Ndërkohë 18 operacione dhe aksione policore janë finalizuar për të zbardhur dhjetëra vjedhje të kryera gjatë këtij muaji, si dhe për të vënë në pranga autorët e tyre.12 operacione dhe aksione policore u zhvilluan për të goditur me forcën e ligjit, rastet e transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave 300-1500 euro, për kalimin ilegal të kufirit shtetëror, me destinacion final vendet e BE-së.

Përgjatë këtij muaji, shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë, me korrektesë dhe humanizëm, për ofrimin e ndihmës për 13 turistë nga shtete të ndryshme, të cilëve iu rrezikohej jeta në det dhe në terrene malore të thepisura, në malin e Brretit, në Dukat dhe në Korçë.

Sa i përket sigurisë rrugore, nga bilanci i policisë bie në sy fakti se, janë vënë në pranga 112 drejtues mjetesh, nga të cilët 64 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 48 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 624 leje drejtimi, nga të cilat 465 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 100 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 59 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare janë bllokuar 21 mjete ujore që drejtoheshin në kundërshtim me ligjet dhe me rregullat e lundrimit.

Në pikat e kalimit kufitar janë sekuestruar rreth 111.150 euro të padeklaruara, janë goditur 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, 35 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin dhe 2 raste të trafikimit të mjeteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme