Vrasja e adoleshentit në Gramsh, Kushi: “Jam thellësisht e tronditur”

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur të martën në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij.
“Jam thellësisht e tronditur” shkruan zonja Kushi në rrjetet sociale. “Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda” shkruan ministrja.
Zonja Kushi kujton se “Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme”. “Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër” shkruan ministrja e ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi, ndërsa shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos ketë kurrë më ngjarje të tilla.
Një nxënës i klasës së nëntë në Gramsh, ka humbur jetën pasi u plagos me thikë gjatë një sherri ku u përfshinë edhe 4 adoleshentë të tjerë.Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shkollës “Asllan Shahini”.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




