Shqipëria nesër voton, Policia e Shtetit merr në ruajtje të gjitha objektet që kanë materiale zgjedhore

Në kuadër të ditës së zgjedhjeve vendore të 14 majit, Policia e Shtetit informon se ka përfunduar në të gjithë vendin, instruktazhi i punonjësve të Policisë, që janë të angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore, si dhe ka nisur shpërndarja e tyre, në zonat e caktuara me shërbim.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi: secili punonjës policie është pajisur me librin e xhepit, si dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbim, gjatë procesit zgjedhor; është ngritur dhe vijon aktualisht funksionimin, aplikacioni dixhital ku çdo punonjës policie do të raportojë në kohë reale përmbushjen e detyrave funksionale, si dhe çdo problematikë që mund të hasë.
“Janë ngritur grupet e drejtimit në çdo DVP dhe në komisariatet në varësi, të cilat do të raportojnë në grupin e drejtimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për menaxhimin e çdo lloj situate gjatë këtij procesi. Të gjitha objektet zgjedhore janë tashmë të mbuluara me punonjës policie dhe marrja në ruajtje e tyre ka filluar që në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore.”- informon Policia e Shtetit.
Gjatë instruktazheve të zhvilluara në të gjitha qarqet, drejtuesit e Policisë kanë kërkuar nga të gjithë punonjësit e Policisë të anagzhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të tregojnë profesionalizëm, maturi dhe korrektesë për zbatimin e të gjitha detyrave të përcaktuara në planin e masave.
“Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat për krijimin e kushteve që ditën e nesërme, qytetarët të votojnë të lirë dhe të qetë.”- thuhet në njoftimin e policisë.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



