Incident në Pukë/ “Bashkë Fitojmë” thotë se socialistët dhunuan aktivistë të PD, policia e quan konflikt të çastit

Një incident u shënua mbrëmjen e sotme, 9 maj, në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut” në Pukë.
Koalicioni “Bahkë Fitojmë” përmes një deklarate për shtyp shpërndarë në orët e vona, informon se kemi të bëjmë me një incident politik. Disa përfaqësues të PS-së së Pukës kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin 4 veprimtarë të opozitës dhe kanë ushtruar dhunë.
“Në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë Arrëz, një bandë e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike. Të tre banditët me spaleta pushteti, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e koalicionit rreth orës 22.42 minuta të mbrëmjes së 9 majit.
Por tjetër version ka dhënë policia e Shkodrës disa minuta më pas.
Përmes një njoftimi për median të shpërndarë rreth orës 23:05, policia sqaron se kemi të bëjmë me një konflikt të momentit për motive të dobëta.
“Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se: Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.”
Deklaratat kontradiktore
Ndërsa në deklaratën e koalicionit opozitar thuhet se drejt aktivistëve të PD-së është ushtruar dhunë me armë, janë goditur me qytën e pistoletës, në deklaratën e policisë nuk përmendet fare armë.
Në deklaratën e koalicionit thuhet se janë plagosur dy vëllezërit, njëri prej tyre rëndë.
“Sipas raportimeve nga terreni, nga spitali dhe nga përfaqësues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, si pasojë e dhunës ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Besmir Nika, dhe me plagë më të lehta vëllai i tij, Bledari”
Por ndryshe është në deklaratën e policisë ku thuhet se është plagosur lehtë vetëm një person.
“Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër” informon policia.
Më tej shton se kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” thotë se tre personat gjatë këtyre ditëve kanë ushtruar presion dhe shantazh ndaj banorëve dhe I kërkon prokurorisë të hetojë rastin.
“Të tre personat dhunues, sipas raportimeve, gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar në zonë të armatosur dhe duke ushtruar presion e shantazh ndaj banorëve.
Bandat e pushtetit, nga Gomsiqja deri në Fierzë, në panik nga humbja e 14 majit, kanë angazhuar arsenalin e personave me precedente penalë, të gjithë me lidhje kriminale me Partinë Socialiste, dhe në këmbim të favoreve dhe lëshimeve u kërkojnë të frikësojnë mbështetësit e opozitës” thuhet në deklaratën politike, ku i bëhet thirrje Prokurorisë të nisë hetimet. Ndërkohë policia deklaron se vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




