Programi “EU4Schools”, 40 objekte arsimore të përfunduara deri tani

Aktualitet | 3 vite më parë

Në Ditën e Evropës, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri falëndëron Bashkimin Evropian për partneritetin afatgjatë në avancimin e Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri.

Në këtë kuadër, shtyllë bazë e partneritetit UNDP-BE është edhe Programi “EU4Schools”, “BE për Shkollat”, i cili synon rindërtimin apo riparimin e më shumë se 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, me përfitues 25,000 fëmijë, nxënës e mësues në total.

“Mësimdhënie dhe mësimnxënie më cilësore dhe më produktive, arsimim bashëkohor pikërisht si në vendet e Bashkimit Evropian, siguri e lartë dhe standarde të larta të objekteve arsimore – këto janë pikërisht çfarë ofron Programi “EU4Schools”, i financuar nga BE me 75 milionë euro dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (#UNDP) në Shqipëri”, shprehet UNDP Albania.

Deri më sot në kontekstin e Programit “EU4Schools”, “BE për Shkollat” kanë përfunduar 40 objekte arsimore, ndërsa aktualisht puna vijon intensivisht për rindërtimin apo riparimin e 15 objekteve të tjera.

Programi bazohet në parime themelore: “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”.

“Rindërtojmë Më Mirë” nënkupton ndërtimin e strukturave më të forta që mund t’iu rezistojnë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke pasur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë (EUROCODE 8).

Të gjitha objektet arsimore, pjesë e “EU4Schools”, do të kenë burime të energjisë së rinovueshme, do të jenë plotësisht të aksesueshme nga nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike.

Ndërkohë, parimi “Rindërtojmë Së Bashku” nënkupton ofrimin e mundësive unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve të tyre arsimore dhe për ta “përshtatur” projektin sipas nevojave të tyre. 65 takimet konsultuese dhe 40 vizitat monitoruese të organizuara deri më tani kanë mbledhur së bashku 2,425 nxënës, fëmijë, prindër, anëtarë të komunitetit e përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore — duke nxitur kështu edhe pronësinë dhe qëndrueshmërinë e investimit.

Programi “EU4Schools” po ndërton objektet arsimore të së ardhmes duke ndikuar drejtpërdrejtë në mirarsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë sipas standardeve më të larta evropiane.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme