Dy turistet e huaja bien në greminë dhe gjejnë vdekjen në Valbonë, nuk nxirren dot as me helikopter

Dy turiste të huaja kanë gjetur vdekjen teksa eksploronin zonën e Valbonës. Dy turistet, njëra belge dhe tjetra franceze janë rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur duke rënë në greminë.
“Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur menjëherë në drejtim të vendit ku kishin rënë dy turistet.
Por për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë që ndodhen në vendngjarje e kanë të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera.
Gjithashtu edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur trupat e pajetë të dy turisteve.
“Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes”, shkruhet më tej në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës “ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.”
Ndërkaq, një ditë më parë, në kanionet e lumit Osum në zonën e Skraparit, rrjedha e ujit ka rrëmbyer një turist holandez së bashku me gruan e tij.
Holandezi ka qenë duke eksploruar zonën, së bashku me bashkëshorten e tij kur janë rrëmbyer nga uji.
Ishin një grup turistësh që po vizitonin kanionet të cilët gjetën bashkëshorten e holandezit, e cila u dërguar në spitali dhe tani është jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa 68-vjeçari nuk është gjetur ende edhe pse palumbarët po vijojnë kërkimet në lumin Osum.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




