Të shtëna me armë zjarri në Pukë, në kërkim autori! Kryebashkiaku: U kërcënuan socialistët! Rivali politik: Janë bandat tuaja

Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur pak pas mesnate në qytetin e Pukës. Sipas policisë autori është identifikuar një i ri 26 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ku janë dëgjuar të shtëna me armë dhe është njoftuar policia.
Pas hetimeve policia thotë se “autori i dyshuar K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, ka qëlluar më armë në ajër teksa ishte duke drejtuar makinën” dhe po punohet për kapjen e tij.
“Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj i cili pretendon se të shtënat kanë qenë për të kërcënuar mbështetësit e Partisë Socialiste.
Gjonaj akuzon se autori është “mercenar me pagesë i kandidatit pa parti të opozitës”, duke i referuar kandidati të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Pukë, Rrok Dodaj.
Kryebashkiaku akuzon rivalin e tij se kërkon të vij në pushtet përmes presionit të armëve duke kërcënuar pukjanët.
“Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar dëgjoj krisma armësh, të cilët u shkrehen në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati pa parti i opozitës tentuan të prishin traditën e Pukës.
Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armen, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër.
Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marr bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vij në pushtet. Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerëzit me precedent që ai ka sjell me pagesë në Pukë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardh ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje.”, shkruan Gjonaj.
Gjonaj i ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të shmangin provokime dhe se të mos tremben nga kërcënime të tilla.
“Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarëve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim frikësimin. A mund të ndodh kjo?! Kurrë Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barrën e përgjegjësisë për prishjen e kësaj tradite të bashkëjetesës dhe harmonisë që karakterizon Pukën.
Për të gjithë shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetëra vite që nuk është shkrehur armë.
Ky është kandidati që pretendon të marr drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marr dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik. Zoti bekoft Puken!”, shkruan Gjonaj.
Rivali politik i Gjonaj, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, Rrok Dodaj i cilësoi akuzat e kryebashkiakut si sajesa, ndërsa tha se kjo ngjarje është organizuar nga vetë socialistët për presion ndaj pukjanëve.
“Sa më shumë i afrohemi 14 majit, banda që ka drejtuar pushtetin vendor prej 8 vitesh, me në krye narkotrafikantin Gjon Gjonaj, përmes grupeve të armatosura, të cilat i strehon në Hotel Turizëm Puka, synon të ushtrojë presion dhe shantazh mbi banorët pukjan. Të frymëzuar nga etërit e tyre politikë, që pushteti mbahet me grykën e pushkës, natën e mbrëmshme, killera me pagesë që vërtiten të armatosur rrugëve të qytetit, duke i bërë karshillëk policisë së shtetit, kanë tentuar të intimidojmë qytetarë të lirë dhe mbështetës të opozitës.
Prej kohësh, u kemi bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të mos bien “pre” e ngordhësirës që është në grahmat e fundit, pasi kjo qënie ligë, po përdor çdo mjet për t’u grabitur qytetarëve të drejtën e lirisë së votës”, shkruan Dodaj.
Dodaj i bëri thirrje policisë që të zbardhë me urgjencë ngjarjen.
“Situata është tragjikomike, kur klithmave të tij për agresion, u përgjigjet në harmoni të plotë edhe shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, i cili ngjarjen e referon në unison me deklaratën e shtabit elektoral të PS.
Dua t’i bëj thirrje strukturave të policisë së shtetit, shefit të Komisariatit Pukë, të mos shfrytëzojnë pozitën e tyre, të mos bëjnë pis ngjyrën e uniformës, duke u shndërruar në militantë politikë, por të jenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe detyrës që u ngarkon ligji.
Të nderuar qytetarë!Vullneti i lirë i juaji, përtej përpjekjeve të bandës së Gjon Gjonajt dhe individëve me precedentë penal, që i ka mbledhur rreth vetes në përpjekjen për të ushtruar presion mbi ju, do të lexohet saktë dhe askush s’do guxojë t’a devijojë për llogari të askujt.
Uragani i mbështetjes sonë qytetare, ka zgjuar instinktet kriminale të kreut aktual të bashkisë, i cili në çdo fushatë mbledh garnizone paramilitare dhe i përdor për kërcënime votuesish.Asnjë lëkundje në misionin tonë, më 14 maj largojmë bandën nga uzurpimi i bashkisë dhe i rikthejmë institucionin qytetarëve. Ngjarja e mbrëmshme ka vetëm një autor, Gjon Gjonajn, cili do mbahet mend gjatë për prishjen e traditave dhe vlerave të bashkëjetesës sonë qytetare dhe një bashkëpunëtor,shefin e Komisariatit të Policisë Pukë, i cili është i angazhuar publikisht në fushatën e kreut të bashkisë.
Duke e dënuar ashpërsisht incidentin, apeloj kamikazin politik, Fiqiri Dani, të qëndrojë larg veprimeve me karakter shantazhues, pasi asgjë nuk i shpëton syrit dhe monitorimit tonë! Puka dhe pukjanët duan ndryshimin! Ndryshimi do vijë përmes votës së lirë dhe askush s’do guxojë ta prekë shenjtërinë e saj! Zoti bekoftë Pukën dhe pukjanët”, shkruan Dodaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




