Zhdukja e dy personave me precedentë në Sarandë, familjarët protestë para Drejtorisë së Policisë së Shtetit

Për rreth një muaj, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi rezultojnë ende të zhdukur në Sarandë, ndërsa policia vijon hetimet për gjetjen e tyre.
Duke mos pasur asnjë njoftim për fatin e dy personave, familjarët e dy të zhdukurve kanë protestuar paraditen e 2 majit para Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Me foto e tyre në duar, familjaret kërkojnë që policia të gjejë të paktën trupat e familjarëve të tyre, pasi shpresat që të jenë gjallë për ta janë të pakta.
“Duam trupat e tyre. Shteti nuk po punon ashtu siç duhet. Është 26 ditë, po shkon një muaj. Nuk kemi asnjë komunikim. Asnjë gjë, duam që shteti të gjejë trupat. Nuk ka lidhje konflikti i pronësisë. Po të kishte konflikte nipi im, s’do dilte lirshëm. Kemi ardhur për protestë paqësore këtu. Shteti të gjejë trupat dhe të kapë autorët”, tha Kujtim Krasniqi, xhaxhai i Sulovarit.
“Nëse kanë vdekur të paktën të na thonë dhe t’u hedhim një dorë dhe”, tha një i afërm tjetër.

Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, janë denoncuar të zhdukur nga familjarët që më 12 prill 2023. Ata nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi janë persona me precedentë të mëparshëm penal.
45-vjeçari Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi ka qenë i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehte me dashje”. Gjithashtu në prill të 2022, ai është arrestuar në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi kanabis e ndarë në doza gati për shitje.
Edhe 52-vjeçari Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai dyshohet se ka qenë pjesëmarrës edhe në Masakrën e Qafe-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Ai është arrestuar edhe për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje të kryer nga Andrea Gjini, i cili ka vrarë biznesmenin Jaho Bajo. Veprat penale që rëndojnë ndaj tij janë që nga “vjedhja” e “mashtrimi” të trafiku i drogës.
Lidhur me dy personat e zhdukur, Prokuroria e Sarandës ka regjistruar veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” parashikuar nga neni 109/3 i Kodit Penal. Ajo madje ka reaguar edhe lidhur me publikimin e disa lajmeve mbi pistat e rrëmbimit të dy personave, ku bën thirrje që të mos ekspozohet asnjë informacion i paverifikuar pasi dëmton hetimet.
“Duke vlerësuar se parësore në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese, është ushtrimi i ndjekjes penale dhe zbulimi i autorëve të veprës penale, Prokuroria Sarandë konstaton me shqetësim se informacionet e fundit mediatike të datës 01 maj 2023, nuk i shërbejnë zbulimit të së vërtetës, madje as edhe nuk i ndihmojnë organet ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt të saj.
Gjithashtu, organi i akuzës vlerëson se nuk është as edhe në interesin publik, publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe që nuk janë shpërndarë ligjërisht nga autoritetet kompetente.
Vlerësojmë se ekspozimi në media apo rrjetet sociale i deduksioneve personale nga cilido që mund të vijë në posedim të informacioneve të ndryshme të marra konfindecialisht nga persona që e përfitojnë informacionin për shkak të detyrës, jo vetëm që cenon rëndë veprimtarinë hetimore por i vendos edhe personat e ndryshëm të përfshirë ose jo në ngjarjen konkrete në situata jo reale dhe të panevojshme në raport me interesin e familjarëve të viktimave nga vepra penale, në raport me interesin publik por edhe në raport me vetë autoritetet hetimore”, njofton Prokuroria e Sarandës
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




