Vrasja e Ardian Nikulajt për gjakmarrje, përplasja mes dy fiseve nisi në 1996, asnjëri nuk kërkoi pajtim

Vrasja e biznesmenit dhe politikanit lokal në Lezhë Ardian Nikulaj, riktheu edhe njëherë fenomenin e një plage të vjetër në shoqërinë shqiptare, atë të gjakmarrjes.
Hasmëria mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Balldre të Lezhës e ka zanafillën në vitit 1996, teksa u vra Pëllumb Nikulaj, i cili ndërhyri për të shuar një sherr në një pikë karburanti në dalje të qytetit të Lezhës.
Ky fakt konfirmohet nga misionari i Pajtimit të Gjaqeve Pjetër Gjoka, sipas të cilit gjithçka ka nisur nga fisi Lekstakaj, por pas vitit 2005 situata mes tyre ishte qetësuar.
“Ka filluar nga pala Lekstakaj, ata kanë filluar sherrin me një tjetër, djali i Nikulajt ka shkuar për t’i ndarë dhe ata me armë i kanë vrarë të dy, pra shërri dhe vrasja është filluar nga Lekstakaj”, tha Gjoka.
Misionaret e Pajtimit të Gjaqeve kanë qenë në dijeni të këtyre përplasjeve mes dy fiseve, por nuk është bërë asnjë tentative ndërhyrje për tu pajtuar, pasi diçka e tillë nuk ishte kërkuar nga asnjëra palë.
“I ndjeri Ardian Nikulaj, me takimet që kam pasur për probleme të tjera, të jetës, punës, detyrës time si misionar, por dhe atij si biznesmen apo politikan, nuk kemi pas rastin as ta diskutonim këtë temë, nuk kam pas asnjë rast që Ardian Nikulaj të më jetë drejtuar që a mund të ndërhyhet”, tha Gjoka.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19-prillit brenda lokalit të tij në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, policia nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, arriti të zbardhë dhe dokumentojë ngjarjen, e cila ka ndodhur për gjakmarrje, duke shpallur në kërkim 6 persona, 5 prej të cilëve shtetas të huaj.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




