Zgjedhjet lokale, Çuçi: Kujt i ka skaduar karta e identitetit do të lejohet të votojë më 14 maj

Personave që i ka skaduar karta e identitetit, do të lejohen të votojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë këtë të enjte (27 prill) nga Këshilli i Ministrave, ndërsa në një deklaratë për mediat, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se vendimi u mor pasi konsultimeve me KQZ, për shkak të numrit të madh të dokumenteve të identifikimit që skadojnë më 14 maj.
“Sot miratuam vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit që skadojnë në 14 maj. Pas konsultimeve me KQZ vendosëm shtyrjen dhe duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që skadojnë në 14 maj vendosëm shtyrjen e afatit që të gjithë shtetasit të votojnë, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit ka skaduar”, tha Çuçi.
Në lidhje me ndryshimin e pronësisë së kompanisë për prodhimin e dokumenteve të identifikimit, nga private në shtetërore, Çuçi u shpreh se erdhi për shkak se kompanisë i mbaronte kontrata në fund të korrikut. I pyetur nëse do të ketë ndryshim të çmimeve si për kartat e identitetit dhe për pasaportat, Ministri deklaroi se do të vendoset pasi shteti të marrë në dorëzim kompaninë.
“Ajo nuk është e lidhur fare me çmimin. Është marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në fund të korrikut. Do marrim në dorëzim kompaninë e prodhimit të kartave. Vendosja e çmimit, pasi të marrim në administrim këtë kompani që ne tashmë e kemi krijuar dhe e kemi bërë publike. Jemi më fleksibël për të vendosur dhe ndryshuar çmimet”, u shpreh Çuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




