Kakavijë, ngrihet Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor Shqipëri-Greqi

Qendra e përbashkët Policore dhe Doganore Shqipëri-Greqi u përurua sot në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës
Autoritetet e dy vendeve vleresojnë se hapja e kësaj qëndre do të shërbejë si një urë lidhëse bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Greqisë si dhe do të ketë ndikim në efikasitetin e shkëmbimit të informacionit me qëllim parandalimin e krimit të organizuar.
Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të ketë si qëllim shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, me synim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Në këtë qendër do të punojnë punonjës të Policisë Kufitare shqiptare dhe të asaj greke.

Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Andi Mahila, dhe zëvendësministri për Mbrojtjen e Qytetarit të Republikës Helene të Greqisë, z. Elefterios Ikonomou.
Ata theksuan rëndësinë e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit mes dy policive dhe autoriteteve doganore, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të traditës së vendosur vitin e kaluar, për krijimin sa më shumë të lehtësirave ligjore për qytetarët që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë në këtë bashkëpunim merr parandalimi dhe goditja e krimeve ndërkufitare, kryesisht trafikimi i lëndëve narkotike dhe kontrabanda e mallrave.
Kjo pikë do funksionojë si qendër e analizimit të informacionit për çështjet e përbashkëta si çështjet e legjislacionit përkatës kombëtar të palëve, me fokus te çështje të migracionit të paligjshëm, kontrabandimit të emigrantëve dhe refugjatëve/trafikimi i qenieve njerëzore dhe veprimtaritë e paligjshme që lidhen me to, por dhe me çështje të ekstremizmit të dhunshëm dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj.
Shqipëria numëron aktualisht 7 pika doganore me Greqinë, por vetëm ajo e Kakavijës do të ketë rolin e trajtimit të informacioneve për krime apo pastrim parash.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




