Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike, Rama: Eksportimi i tyre i papërpunuar, humbje e madhe

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria ka mbështetur 1086 projekte për 2400 hektarë në industrinë e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Në fjalën e tij në konferencën e katërt kombëtare të industrisë së bimëve mjekësore dhe aaakromatike, Rama tha se po ashtu, qeveria ka mbështetur 16 investime të rëndësishme me pjesëmarrje me grante dhe 11 investime të tjera.
Kreu i qeverisë shprehet se aktualisht ka një sipërfaqje prej më shumë se 7 mijë hektarësh të mjellë dhe të kultivuar me bimë aromatike mjekësor, ndërsa theksoi se Shqipëria bën pjesë në grupin prej 25 eksportuesve kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në rang botëror.
“Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se bimët mjekësore aromatike hyjnë në zërat e eksporteve tona bujqësore me një peshë goxha të rëndësishme, 5.64 miliardë eksporte janë një shumë e konsiderueshme nëse nisemi nga pikënisja e këtij rrugëtimi që unë e konsideroj të përbashkët dhe nëse shohim, qoftë pasqyrën e aktualitetit, qoftë edhe të ardhmen.
Jemi një vend që eksporton kryesisht në eurozonë, janë rreth 70% e eksporteve që shkojnë në Eurozonë dhe në këtë industri janë mbështetur 1086 projekte nga ana e qeverisë për një sipërfaqe totale që është rreth 2400 hektarë dhe janë po ashtu mbështetur me pjesëmarrje me grante të qeverisë 16 investime të rëndësishme.
Nga ana tjetër, janë dhe 11 investime të tjera që i shtohen këtyre 16 investimeve që janë mundësuar nga kanalizimi në këtë industri i fondeve të IPARD-it, programit të Mbështetjes Europiane përmes Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal kryesisht te eksporti i bimëve mjekësore të papërpunuara. Sipas tij, është humbje e madhe e një vlerë që e përfitojnë të tjerët, ndërkohë që atë vlerë thekson ai, “ne mund ta krijojmë këtu në një pjesë të konsiderueshme aq më tepër që sipërmarrësit tuaj, ata që e kanë udhëhequr këtë proces transformimi të industrisë sot nuk janë ata që ishin kur e kanë nisur këtë punë me thjesht idenë, vullnetin dhe 5 lekë”.
“Kjo është e domosdoshme. Kemi bërë shumë mund si popull, si vend, si grupe biznesi dhe krahë pune për të nxjerrë nga toka jonë minerale e për të nxjerrë produkte të tjera, deri tek bimët medicinale dhe për t’i nxjerrë jashtë pa i përpunuar. Është humbje shumë e madhe”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



