U merrte ryshfet ish-pronarëve, në pranga ish-punonjës i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, 1 zyrtar është vënë në pranga këtë të hënë (20 mars), dy në arrest shtëpie dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Pas hetimeve të kryera nga SPAK, ka rezultuar se Inspektori i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, u merrte para ish-pronarëve duke u premtuar atyre kthimin dhe kompensimin e pronave.
Konkretisht, SPAK informon se “Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi I.K., me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish pronarëve, shuma parashë në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se 9 persona të tjerë proceduar penalisht, pasi “Nga hetimet e kryera janë ngritur dyshime të bazuara në prova se shtetasit e mësipërm i kanë dhënë ryshfet shtetasit I. K., për të përfituar kompensimin financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave”.
“Shtetasi I.K. dyshohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në katërmbëdhjetë raste, ndërkohë që shtetasit D.L., Xh.V., G.T., D.D., L.A., A. H., J.Z., V.B. dhe A. G., dyshohet se kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Masat e sigurimit për shtetasit e sipërcituar, janë ekzekutuar sot, ndërsa vendimi për ta është marrë më 16 mars, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka regjistruar procedimin penal, në vitin 2021.
Masat e marra:
“Arrest në burg”, për shtetasin I. K., 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-punonjës (specialist) i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– “Arrest në shtëpi”, për shtetasin D. L., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasen V. B., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasit: Xh. V., J. Z., A. H. dhe D. D., banues në Durrës, të katërt banues në Durrës; G. T. dhe L. A., të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi A. G., banues në Durrës, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




