Atentati në “Don Bosko”/ Gazetarja: Shënjestër e autorëve ishte vëllai i Fation Muratit

Gazetarja e kronikës së zezë, Glidona Daci ka dhënë detaje mbi atentatin e ndodhur në ‘Don Bosko’ mbrëmjen e 12 marsit. Duke folur për “Rtsh 24”, Daci theksoi se shënjestër e këtij atentati ka qenë Ervis Murati, vëllai i të shumëkërkuarit Fation Murati.
Sipas saj, autorët kishin informacion të saktë se Fation Murati nuk ndodhej në lokalin kundrejt të cilit derdhën breshërinë e kallashnikovit dhe për pasojë mbeti e vdekur, banakierja Mimoza Paja, që nuk kishte lidhje me ngjarjen.
“Në shenjëstër të këtij atentati ka qenë Ervis Murati, jo Fationi. Vëllai i Fation Muratit, jo vetë Fationi sepse për Fationin siç duket grupi që ka pasur interesin për të kryer këtë atentat ka pasur informacione të sakta dhe të qarta që Fationi nuk ndodhej në lokal sepse ai ka qenë në masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, edhe pse dilte herë pas here në lokal sipas banorëve të zonës. Por kjo do të duhet të konfirmohet nga strukturat e hetimit, nga prokuroria dhe policia”, u shpreh Daci.
Dinamika e atentatit në Tiranë
Nga kontrolli në banesën e Fatjon Muratit më 7 dhe 12 mars, te atentati në lokalin në pronësi të tij, Policia e Tiranës shpjegoi dinamikën e plotë të kësaj ngjarje të rëndë që tronditi Tiranën.
Mbrëmjen e 12 marsit, breshëria e automatikut prej dy autorëve ende të paidentifikuar, la të vdekur 1 person dhe plagosi 6 të tjerë.
Shënjestra kryesore e atentatit, Fation Murati i vënë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rezultuar në banesë më 7 mars pas kontrollit të policisë, por më 12 mars, dita e atentatit mafioz, kur efektivët kanë shkuar sërish në shtëpinë e tij për kontroll, nuk e kanë gjetur aty.
Mbrëmjen e ngjarjes tronditëse, Fation Murati nuk ka qenë në lokalin e tij, në rrugën “Anastas Shundi”, kur dy persona kanë zbritur nga automjeti tip BMW me targa të huaja të pozicionuar përballë biznesit bar-kafe dhe kanë qëlluar me breshëri drejt ambienteve të lokalit.
Fill pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj.
Brenda mjetit, policia ka gjetur sot 3 automatikë, të cilët autorët i përdorën në atentatin që lka të vdekur banakieren, 60-vjeçaren Mimoza Paja ndërsa plagosën Sait M. 50 vjeç; Astrit M. 42 vjeç, Emanuel S. 47 vjeç, Ermir. B, 45 vjeç dhe Genc Sh. 55 vjeç, dhe një 10-vjeçare (mbesa e Mimozës) e cila mbeti e lënduar nga ciflat e xhamit.
Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorëve, duke ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione të vlefshme. Sakaq, është shpallur në kërkim dhe Fation Muratin dhe policia po punon për arrestimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




