Atentat tek “Don Bosko” në Tiranë, vritet banakierja e lokalit, 5 të plagosur, dhe një fëmijë i lënduar

Një grua e vrarë, 5 të plagosur dhe një fëmijë 10 vjeç i lënduar. Ky është bilanci i asaj që duket se ka qenë atentat mbrëmjen e sotme në një lokal në rrugën “Ananstas Shundi”, tek zona e njohur si “Don Bosko” në Tiranë.
Rreth orës 21:05 minuta persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë nga jashtë drejt lokalit duke lënë të vrarë banakieren e lokalit, shtetasen Mimoza Paja ndërsa janë plagosur Sait M. 50 vjeç; Astrit M. 42 vjeç, Emanuel S. 47 vjeç, Ermir. B, 45 vjeç dhe Genc Sh. 55 vjeç.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare, informoi policia e Tiranës.
Atentati ndodhi në një lokal që sipas policisë i përket shtetasit Fatjon Murati, person me precedentë penalë.
Policia në këmbë
Policia informoi se janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër. Vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kush është Fatjon Murati?
Më 8 tetor 2022 Fatjon Murati u arrestua në makinë me Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin për mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Burimet bëjnë me dije se aktualisht ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë më 14 tetor 2022 Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës caktoi sekuestro preventive mbi katër prona të paluajshtme dhe tri biznese me vlerë rreth 5 milionë euro në emër të tij, pasi sipas Prokurorisë dyshohen se kanë prejardhje kriminale. Mes pronave të vendosura në sekuestro të familjes Murati ishte edhe lokali ku ndodhi atentati.
Hetimet
Vetë Drejtori i hetimit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Alket Shatro shkoi në vendin e ngjarjes dhe në një prononcim për medien konfirmoi se lokali ku ndodhi atentati ishte në pronësi të një personi me precedentë penalë.
“Është herët për të folur në lidhje me motivet” tha më tej ai duke sqaruar se “Të shtënat kanë qenë nga jashtë dhe se nuk ka pasur përplasje me armë. Gjithashtu konfirmoi se nuk është plagosur pronari i lokalit.

/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




