Veliaj me komunitetin e çiklistëve: Numri i përdoruesve të biçikletës është trefishuar, shtojmë korsitë

Numri i përdoruesve të përditshëm të biçikletës në Tiranë është trefishuar falë shtimit të korsive dhe promovimit të jetës së shëndetshme. Në një takim me shoqatat e çiklistëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se përdorimi i biçikletës ndikon drejtpërdrejtë në çlirimin e trafikut dhe i shërben një qyteti më të pastër për të gjithë. Ai nënvizoi se në rrugët e Tiranës do të shtohen më shumë korsi biçikletash.
“Sot komuniteti i çiklistëve është tre herë më i madh. Për numrin e banorëve që jetojnë në Tiranë, është arritje shumë e madhe fakti që më shumë njerëz po zgjedhin biçikletën si mjet transporti, duke lënë makinat. Nuk jam këtu për t’i bërë luftë makinave, por nga 800 mijë segmente që bëhen me makinë në ditë në Tiranë, siç e kemi matur me kolegët e GIZ-it, 400 mijë kryhen për distanca më pak se 1 km. Kjo distancë mund të bëhet fare mirë me biçikletë, në këmbë, me një monopatë ose me transport publik”, u shpreh Veliaj.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se ishte reforma territoriale ajo që i hapi rrugë zhvillimit të vrullshëm të ish komunave që rrethojnë Tiranën dhe që sot janë transformuar me të njëjtën cilësi, si në qytet.
“Para reformës administrative, fshatrat e Tiranës ishin si çdo gjë tjetër: të harruar, të shpërfillur, të braktisur, pa shërbime, pa ndonjë infrastrukturë, pa asnjë formë planifikimi urban, teksa qeverisja e administrimi aq jetik i tyre ndahej si qokë bastionesh partiake, njëherë majtas, njëherë djathtas. Është fakt se një ish-komune të dikurshme, pa reformën territoriale, do t’i duheshin 33 vite për të mbuluar koston e ndërtimit të një shkolle, ndoshta më shumë për një rrugë apo urë të re. Kjo shpjegon pse për ne zhvillimi rural u kthye shumë shpejt në një mision të përditshëm të Tiranës së re, të zmadhuar si zonë metropolitane.
Sot, reforma administrative ka rezultuar një sukses në infrastrukturë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe prodhimit, në rritjen e vlerës së pronës edhe në fshat dhe në mundësinë e planifikimit zhvillimor përmes ndërlidhjes me hapësirat urbane të hapësirave rurale. Ne i rikthyem dinjitetin rrethinave të Tiranës me investime në infrastrukturë dhe në shërbime,” nënvizoi Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




