Nafta kontrabandë në Durrës, publikohen pamjet e momentit të arrestimit të kapitenit rus! Akuzat që rëndojnë mbi të

Alexey Smaznov, kapiteni i cisternës së naftës “Grace Felix” që u bllokua disa ditë më parë në Portin e Durrësit pasi po transportonte 22.500 ton naftë kontrabandë, është arrestuar. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se 47-vjeçari Smaznov akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Janë publikuar edhe pamjet e momentit të arrestimit të tij, teksa është sekuestruar sasia e naftës së kontrabanduar dhe anija që e transportonte atë.
Më 19 shkurt, në kuadër të operacionit “Embargo”, Policia bllokoi një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, ndërsa nafta e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia sekuestroi anijen dhe dokumentacionin e lundrimit të kapitenit, si dhe bllokoi ekuipazhin që përbëhej nga 22 shtetas.
Në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme, si dhe për identifikimin e personave fizikë apo juridikë të përfshirë në këtë rast.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




