Humbi jetën në aksidentin në Kroaci, 41-vjeçari pjesë e Komandës së Forcës Ajrore

41-vjeçari shqiptar, i cili humbi tragjikisht jetën në aksidentin që u regjistrua në Kroaci, ishte pjesë e Komandës së Forcës Ajrore.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka publikuar edhe një foto të 41-vjeçarit, të identifikuar si Gazmir Korbi.
Teksa i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit, Peleshi shkruan se ai kishte marrë lejen e zakonshme, por fatkeqësisht tashmë nuk do të kthehet më mes kolegëve.
“I dhimbshëm lajmi i ndarjes nga jeta të Gazmir Korbit, në aksidentin e ndodhur në Kroaci. Ai nuk mundi të kthehej më mes kolegëve të tij në kompaninë e mbështetjes në Komandën e Forcës Ajrore pas lejes së zakonshme. Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme!“, shkruan Peleshi.
Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 23:43 të së shtunës në autostradën ndërmjet Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit, ku një autobus me targa shqiptare u përmbys në rrugë. Për pasojë humbi jetën 41 vjeçari, i cili ishte pasagjer në autobus, ndërsa 9 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Shkaqet e aksidenit nuk dihen ende, teksa autoritetet në Kroaci kanë nisur hetimet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




