VOLKSWAGEN planifikon mbyllje fabrikash, shkak konkurrenca

VOLKSWAGEN ka njoftuar përfaqësuesit e punëtorëve se dëshiron të mbyllë të paktën tre fabrika në Gjermani. Kryetarja e këshillit të punëtorëve të kompanisë, Daniela Cavallo tha në një takim me punëtorët në selinë e kompanisë në Volfsburg se “të gjitha fabrikat e VW janë të prekura nga këto plane dhe se askush nuk ishte më i sigurt”.
VOLKSWAGEN tha në fillim të shtatorit se ndryshimet në industrinë e automjeteve nënkuptojnë se kompania nuk e përjashton mundësinë e mbylljes së fabrikave në vend dhe se do të detyrohet të heqë dorë nga zotimi për mbrojtjen e vendeve të punës, i cili ka qenë në fuqi prej vitit 1994 dhe pritej të mbetej i tillë deri më 2029.
Shefi ekzekutiv i VOLKSWAGEN it, Oliver Blume, ka përmendur konkurrentët si shkaktarët e përkeqësimit të pozicionit të Gjermanisë si vend prodhues teksa theksoi nevojën për të “vepruar në mënyrë vendimtare”.
Prodhuesit evropianë të automjeteve janë duke u përballur me konkurrencë të madhe nga automjetet elektrike kineze që kushtojnë lirë. VOLKSWAGEN tha muajin e kaluar se rezultatet gjashtëmujore të kompanisë tregojnë se ajo nuk do ta arrijë cakun e saj prej 10 miliardë euro në ruajtjen e shpenzimeve deri në vitin 2026. VOLKSWAGEN ka 10 fabrika në Gjermani, ku punojnë më shumë se 120 mijë persona.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




