Gjermania arreston tre të dyshuar si spiunë, informonin Kinën për teknologjitë ushtarake

Dyshimet se punonin si spiunë për shërbimin sekret kinez çuan të hënën në arrestimin e tre shtetasve gjermanë.
Hervig F. dhe Ina F., një çift i martuar që drejtojnë një kompani në Duseldorf, dhe Tomas R., që sipas prokurorëve punonte si agjent për një punonjës të Ministrisë kineze për Sigurinë e Shtetit (MSS), dyshohet se kishin për qëllim t’i dorëzonin Kinës informacione mbi teknologjitë ushtarake.
Dy bashkëshortët, përmes kompanisë së tyre, kishin arritur një marrëveshje me një universitet gjerman, ku përfshihej edhe përgatitja e një studimi mbi një kontraktor kinez për prodhimin e makinerive, të cilat mund të përdoreshin për ndërtimin e motorëve të fuqishëm për anijet luftarake.
Sipas prokurorëve, partneri kontraktor kinez ishte punonjësi i MSS-së, nga ku Tomas R. merrte urdhrat.
Të dyshuarit gjithashtu kryen blerjen e një lazeri special nga Gjermania në emër dhe me pagesë të MSS-së, për ta eksportuar pa autorizim drejt Kinës.
Kancelari gjerman Olaf Sholc vizitoi Kinën javën e kaluar për të kërkuar nga Pekini që të garantohet aksesi i barabartë i kompanive gjermane në tregun kinez, duke shprehur edhe shqetësimet për politikat ekonomike të Pekinit dhe mbështetjen e tij ndaj Rusisë. /Reuters
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




