Ish-ekzekutivi i Trump, Allen Weisselberg, dënohet me 5 muaj burg për deklarim të rremë

Botë | 3 vite më parë

Allen Weisselberg, ish drejtues ekzekutiv i perandorisë së pasurive të paluajtshme të Donald Trumpit, u dënua të mërkurën me 5 muaj burg për dëshmi të rreme gjatë deklarimeve të tij në çështjen civile ndaj ish Presidentit amerikan për mashtrim mbi pasurinë.

76 vjeçari, tanimë në pension, pranoi fajësinë muajin e kaluar mbi dy akuza se kishte gënjyer kur dëshmoi se kishte pak dijeni mbi mënyrën se si apartamenti i zotit Trump në Manhattan u deklarua në pasqyrat e tij financiare me vlerë tre herë më të lartë se sa realja.

Eshtë hera e dytë që Allen Weisselberg vihet pas hekurave. Ish kryefinanciari i Organizatës Trump vuajti 100 ditë burgim vitin e kaluar për shmangie taksash për kompensime prej 1.7 milionë dollarësh për punonjësit, përfshirë një apartament pa pagesë qeraje në Manhatan si dhe makina luksoze.

Tani ai do vuajë dënimin në burgun Rikers Island në qytetin e Nju Jorkut. Dy rastet nxjerrin në pah besnikërine e palëkundur të zotit Weisselberg ndaj Donald Trumpit, kandidati që pritet të sigurojë emërimin e republikanëve për garën presidenciale.

Weisselberg dëshmoi dy herë në proceset për Trump, por në secilën nga rastet ai u përpoq fort të sugjeronte se shefi i tij nuk kishte kryer ndonjë shkelje ligjore serioze. Pranimi i fajësisë nuk e detyron atë të dëshmojë në gjyqin penal ndaj ish Presidentit Trump se ka fshehur pagesën e bërë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes së saj, për të cilin të hënën pritet të nisë përzgjedhja e jurisë.

Në marrëveshjen e arritur për të dënuar Weisselberg me 5 muaj burgim, prokurorët vunë në dukje moshën dhe gatishmërinë e tij për të pranuar fajësinë. Në Nju Jork, deklarimi i rremë dënohet me burg deri në 7 vjet.

Prokurorët kanë premtuar se nuk do të hetojnë Weisselberg për krime të tjera që mund të ketë kryer lidhur me Organizatën Trump.

Dënimi i fundit duket si një përsëritje e çështjes së kaluar ndaj tij, në të cilën ai u dënua me 5 muaj burg, por u lirua pas pak më shumë se tre muajsh për sjellje të mirë. Ai nuk kishte kryer ndonjë shkelje ligjore më parë. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme