Protesta kundër Orbanit, denoncuesi i aferave të qeverisë rivalizon kryeministrin

Europë | 3 vite më parë

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Budapestit ditën e shtunë për të protestuar ndaj kryeministrit Viktor Orban.

Protesta u udhëhoq nga Peter Magiar (o. Magyar), një kritik i qeverisë që dikur kishte lidhje brenda saj duke qenë bashkëshorti i ish-ministres së Drejtësisë, Judit Varga.

Z. Magiar mbajti një fjalim afër godinës së parlamentit, ku shpalli edhe krijimin e një komuniteti të ri politik që synon të bashkojë konservatorët dhe liberalët e zhgënjyer nga qeverisja e Orbanit dhe nga opozita.

“Hap pas hapi, tullë pas tulle, do të rifitojmë atdheun dhe do të ndërtojmë një shtet të ri, sovran, modern, një Hungari europiane,” tha ai.

Disa nga protestuesit mbajtën në duar parulla me mbishkrimin “Nuk kam frikë” dhe “Orban jep dorëheqjen!” teksa bënin thirrje drejt parlamentit. Shumë pjesëmarrës ishin veshur me ngjyrat kombëtare kuq-bardhë-gjelbër ose mbanin flamurin kombëtar, simbole që partia e Orbanit i ka përdorur në garat e veta politike për dy dekadat e fundit.

Kryeministri Orban e ka quajtur z. Magiar një oportunist, i cili do të nisë karrierë të re pas divorcit me ish-ministren e tij dhe pas largimit nga disa kompani shtetërore.

ish-ministrja Varga dhe ish-presidentja Katalin Novak, dy nga aleatet kyç të kryeministrit Orban, hoqën dorë nga postet në muajin shkurt për shkak të një skandali seksual. Presidentja Novak dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte amnistuar nëndrejtorin e një shkolle publike, që nga ana e tij kishte mbuluar abuzimin seksual të nxënësve nga drejtori tij.

Partia e kryeministrit Orban do të kërkojë mbështetjen nga populli në muajin qershor, kur edhe organizohen zgjedhjet për Parlamentin Europian. /AJ

/rtsh.al/

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme