Shembja e urës në SHBA, autoritetet nisin kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë

Gjashtë persona dyshohet se kanë humbur jetën, kur anija e mallrave Deli goditi urën Frensis Skot Kei në Baltimotë mëngjesin e së martës. Autoritetet policore thanë se bazuar në kohëzgjatjen e operacionit të kërkimit dhe temperaturën e ujit, nuk besojnë se do të gjejnë ende gjallë ndonjë personat që rezultojnë të zhdukur.
Rojet bregdetare amerikane dhe zyrtarët e policisë së shtetit të Merilendit pezulluan operacionet e shpëtimit, ndërsa njoftuan se kanë kaluar në fazën e gjetjes së trupave të pajetë, që dyshohet se kanë qenë pjesë e një skuadre ndërtimi që po riparonte rrugën mbi urë në kohën kur kjo e fundit u shemb.
Sekretari amerikan i Transportit u shpreh se pret që incidenti të ketë një ndikim të madh dhe të zgjatur në zinxhirët e furnizimit. Ndërsa Presidenti Bajden tha se qeveria amerikane do të mbulojë të gjithë koston e rindërtimit të urës. Ura e Baltimorës u shemb mëngjesin e së martës pasi një anije mallrash goditi një nga kolonat mbështetëse të saj, duke bërë që shumë njerëz dhe automjete të binin në ujërat e lumit Patapsko.
Pas shembjes së urës, është ndaluar trafiku detar brenda dhe jashtë Portit të Baltimorës, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Bregun Lindor dhe shërben si një qendër kryesore transporti për automjetet, mallra ndërkombëtare dhe ngarkesa të tjera.
Gazetare: V. Zhari
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




