Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën që kërkon “armëpushim të menjëhershëm” në Gazë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një projekt-rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Gazës dhe Izraelit, pasi Shtetet e Bashkuara abstenuan.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë veton më parë për rezoluta të ngjashme. Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha se ndërsa rezoluta e fundit përfshin redaktime të kërkuara nga SHBA, Uashingtoni nuk mund të votonte po sepse “nuk ishte dakord me gjithçka”.
14 anëtarët e mbetur të këshillit votuan pro rezolutës, e cila u propozua nga 10 anëtarët e zgjedhur të organit .
Uashingtoni kishte refuzuar për muaj të tërë të pranonte termin ” armëpushim” dhe kishte përdorur të drejtën e vetos për të mbrojtur Izraelin.
Por mes presionit global në rritje për një armëpushim në luftën që ka vrarë më shumë se 32,000 palestinezë , SHBA abstenuan nga votimi të hënën për të lejuar Këshillin e Sigurimit të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm për muajin e Ramazanit , i cili skadon pas dy javësh.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit nënvizon “nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmave humanitare dhe për të forcuar mbrojtjen e civilëve në të gjithë Rripin e Gazës” dhe përsërit thirrjen e saj për “heqjen e të gjitha pengesave për dërgimin e ndihmës humanitare”.
Radioja ushtarake e Izraelit transmetoi pak para fillimit të takimit të Këshillit se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të anulonte misionin e planifikuar në Uashington nëse SHBA nuk do të vinte veton ndaj rezolutës.
SHBA-ja ka vënë veton ndaj tre projekt -rezolutave të Këshillit për luftën në Gaza.
Ata gjithashtu kanë abstenuar dy herë, duke lejuar Këshillin të miratojë rezoluta që synojnë rritjen e ndihmës për Gazën dhe duke bërë thirrje për pauza të zgjatura në luftime.
Rusia dhe Kina gjithashtu kanë vënë veton ndaj dy projekt-rezolutave të SHBA – tetorin e kaluar dhe të premten e kaluar .
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




