Vriten disa ushtarë nga një sulm vetëvrasës në një post ushtarak në Pakistan

Botë | 3 vite më parë

Shtatë ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe 17 të tjerë janë plagosur të shtunën nga një sulm militant në një post ushtarak në Pakistan, njoftoi ushtria pakistaneze.

“Terroristët e përplasën një veturë të mbushur me eksplozivë në një post, pastaj kryen sulme të shumta vetëvrasëse me bombë, duke shkaktuar shembjen e një pjesë të ndërtesës”, tha ushtria pakistaneze.

Banorët në provincën veriore të Pakistanit, Uaziristan, në afërsi të kufirit me Afganistanin, thanë se një shpërthim i fuqishëm i dridhi dyert dhe i dëmtoi dritaret e shtëpive të tyre mëngjesin e së shtunës.

Ushtria tha se pesë ushtarë vdiqën nga shpërthimi, ndërsa dy të tjerët nga të shtënat që pasuan. Të gjitha gjashtë sulmuesit u vranë gjithashtu, shtoi ajo.

Ushtria nuk tregoi se cili grup militant e kreu këtë sulm. Megjithatë, përgjegjësinë e mori grupi i porsakrijuar militant, Jaish-e Fursan-e Muhammad.

Liderët e Pakistanit, presidenti Asif Ali Zardari dhe kryeministri Shehbaz Sharif, e dënuan sulmin dhe i nderuan ushtarët e vrarë në të.

Uaziristani Verior ka qenë për kohë të gjatë vatër e operacioneve militante në të dyja anët e kufirit. Zyrtarët pakistanezë thonë se sulmet janë rritur në muajt e fundit, përgjegjësinë për shumicën e të cilave e ka marrë grupi taliban i Pakistanit, TTP.

Pasi talibanët e Afganistanit e morën pushtetin pas largimit nga ky vend të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, shumë pjesëtarë të TTP-së kanë gjetur strehë në Afganistan, duke e përdorur atë për të kryer sulme të shpeshta ndaj trupave dhe civilëve pakistanezë.

Kjo i ka dëmtuar marrëdhëniet mes Islamabadit dhe qeverisë së udhëhequr nga talibanët në Kabul, e cila e mohon se Afganistani po përdoret nga militantët.

( Marrë nga REL )

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme