Zgjedhjet, Putini kërkon një mandat tjetër 6-vjeçar. Ukraina sulmon me dron qytetet ruse

Botë | 3 vite më parë

Dyqanet dhe shkollat në qytetin rus të Belgorodit janë mbyllur pas bombardimeve. Autoritetet ruse kanë fajësuar Ukrainën për sulmin.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha se dy persona u vranë, ndërsa procesi i votimit sipas tij vijon për zgjedhjet e përgjithshme dhe se “Vladimir Putin është i sigurt se do të fitojë.”

Sipas tij, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan tetë raketa ukrainase, ndërsa Putin akuzoi Ukrainën se po përpiqet të pengojë rizgjedhjen e tij për një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

“Studentët në Belgorod – i cili është afër kufirit me Ukrainën – nuk do të ndjekin shkollën të hënën dhe të martën. Ndërsa qendrat tregtare në Belgorod do të mbyllen të dielën dhe të hënën”, tha guvernatori Gladkov.

Gladkov bëri të ditur gjithashtu se një grua u vra në një park makinash, ndërsa ishte me djalin e saj.

 “Mjekët po luftojnë për jetën e djalit të saj”, shtoi guvernatori.

Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi se ka pasur humbje në zonat kufitare të Ukrainës dhe në rajonet Belgorod dhe Kursk.

Gjithashtu të shtunën, guvernatori i rajonit të Samara – rreth 850 km (530 milje) në juglindje të Moskës – tha se dronët ukrainas kanë shënjestruar dy rafineri nafte.

Në një postim në Telegram, Dmitry Azarov tha se një nga rafineritë, në Syzran, ishte djegur, por nuk kishte viktima. Një burim ukrainas i tha Reuters se agjencia e inteligjencës SBU e Kievit goditi tre rafineritë e rajonit të Samara Rosneft – në Syzran, Novokuibyshevsk dhe Kuibyshevsk.

Nga ana tjetër, Kievi nuk ka komentuar për sulmet në Belgorod.  Zgjedhjet në Rusi të cilat nuk konsiderohen as të lira dhe as të ndershme nga kritikët dhe analistët politikë, pritet që të mbajnë në pushtet Putinin edhe gjashtë vjet të tjera.

Rezultati nuk është në dyshim pasi zoti Putin nuk ka asnjë kundërshtar të besueshëm. Kandidatët e mundshëm që kundërshtuan pushtimin rus të Ukrainës u ndaluan të konkurrojnë. Ndërsa kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq papritur në një burg në Arktik muajin e kaluar. Zëdhënësit e Navalny kanë akuzuar Kremlinin për vrasjen e politikanit. Këto sugjerime janë mohuar me forcë nga qeveria ruse.

Ndërkaq, e veja e tij, Yulia Navalnaya, u bëri thirrje kundërshtarëve të Kremlinit që të shkojnë masivisht në qendrat e votimit mesditën e së dielës për të protestuar kundër zgjedhjeve.

Votimi në Rusi po zhvillohet për tre ditë deri të dielën, duke përfshirë disa zona kohore. Qendrat e votimit u hapën në Gadishullin Kamçatka, rajoni më lindor i Rusisë, në orën 08:00 me orën lokale të së premtes dhe më në fund do të mbyllen në enklavën më perëndimore të Kaliningradit në orën 20:00 të së dielës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme