Gaza ndahet në dy pjesë, rruga e ndërtuar nga Izraeli arrin deri në bregdetin e Mesdheut

Ushtria izraelite po ndërton një autostrade të fortifikuar e cila e ndan Gazën në dy pjesë. Rruga ka arritur deri në bregdetin e Mesdheut dhe sipas zyrtarëve izraelitë, ajo është pjesë e një plani sigurie për të kontrolluar territorin për një periudhë më të gjatë kohore.
Pamjet satelitore të publikuara nga CNN zbulojnë ndërtimin e një rruge nga ushtria izraelite, që ndan në dy pjesë territorin e Gazës. Ushtria izraelite po ndërton një autostradë të fortifikuar, aktualisht të caktuar si ‘Autostrada 749’, në zemër të Gazës për të ndarë veriun nga jugu.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se rruga do të përdorej për të krijuar një bazë operacionale në atë zonë, e cila do të lejonte kalimin e forcave, por edhe pajisjeve logjistike ushtarake. Ministri izraelit për Çështjet e Diasporës, Amiçai Çikli u shpreh se kjo vepër do t’i lehtësojë ushtrisë izraelite operacionet ushtarake në enklavë.
Ai shtoi se rruga do të përdoret për të paktën një vit dhe do të ketë tre korsi: një për tanket e mjete të blinduara, një tjetër për mjete të lehta dhe një të tretë për qarkullimin me shpejtësi të lartë. Ministri izraelit tha se Korridori Netzarim që arrin deri në Detin Mesdhe, do të mund të përshkohet për 7 minuta.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shpalosi një plan sigurie më 23 shkurt për të ardhmen e Gazës pas shkatërrimit të Hamasit, i cili përfshin çmilitarizimin e plotë të enklavës dhe rishikimin e sigurisë, administratës civile dhe sistemit arsimore të saj. Palestinezët që jetojnë në Gaza druhen se planet e sigurisë së pasluftës të Izraelit do të kufizojnë më tej lirinë e tyre të lëvizjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




