Zelenski e krahasoi Putinin me Hitlerin, eksperti Osmani: Mesazh për të tronditur Perëndimin

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelensky) e krahasoi të mërkurën homologun e tij rus, Vladimir Putin, me liderin famëkeq të nazistëve, Hitlerin.
Deklarata u bë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, ku kreu i shtetit ukrainas mori pjesë në samitin dedikuar Ukrainës dhe marrëdhënieve të saj me Europën Juglindore.
Zelenski bëri thirrje për mbështetjen e botës “sepse të gjithëve na duhet të merremi tani me një vrasës, thjeshtë një vrasës, një Hitler të dytë”.
Deklarata e presidentit të Ukrainës u komentua në studion e “Jetë shqiptare” nga eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kreshnik Osmani.
Sipas Osmanit, hiperbolizimi i situatës prej Zelenskit dhe përmendja e një holokausti të dytë në Europë ishte i qëllimshëm.
“Volodimir Zelenski me origjinë është hebre dhe është hebreu i cili po përcjell klithmat e fundit për botën dhe Perëndimin ‘Mos e braktisni Ukrainën’, për të mos u përsëritur ajo që ndodhi me holokaustin. Doza e lartë që përzgjedh Zelenski është e lidhur me nevojën që ai ka për ta tronditur botën në shërbim të kauzës së tij. Ukraina ka nevojë për para, armatime, për logjistikë, për ushtri dhe për mbështetje. Se përse u lidh direkt me Hitlerin ka edhe një arsye tjetër. Në deklaratën më të fundit të bujshme apo në intervistën që pushtoi gjithë planetin ndërmjet Vladimir Putinit dhe amerikanit Taker Karlson (o. Tucker Carlson), mes deklaratave të Putinit u thanë edhe shumë gënjeshtra. Pjesë e këtyre gënjeshtrave të Putinit ishte fakti që Putini e legjitimoi agresionin e tij ndaj Ukrainës duke ndërtuar një paralele me arsyet që shtynë në nisjen e Luftës II Botërore.
Ai tha se arsyeja përse Hitleri e pushtoi dhe sulmoi Poloninë në Luftën II Botërore lidhej me paaftësinë e polakëve për t’u marrë vesh me Hitlerin. Kjo do të thotë se sipas tij, Hitleri paska qenë aq burrë i mirë saqë po të kishte gjetur në Poloni ‘merhaba, çfarë ke nevojë zotni Hitler’ ky nuk do ta kishte pushtuar Poloninë. Kjo është një gënjeshtër dhe një e pavërtetë historike, sepse arsyet e nisjes së Luftës II Botërore nuk janë mospajtimi i Hitlerit me polakët. Arsyeja përse Zelenski e zgjedh këtë mesazh është për të tronditur Perëndimin dhe për t’i thënë se ne po e humbasim luftën këtu dhe juve do ju shënohet në historinë e njerëzimit një holokaust i dytë ndaj popullit ukrainas, i cili ka qëlluar në këtë moment të përfaqësohet nga një president me origjinë hebre. Mesazhi i dytë është për Taker Karlsonin dhe për intervistën që pushtoi botën,” tha z. Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




